Transmetuar më 09-07-2019, 17:05

Në kohën kur shumica e kandidatëve për në SPAK është nën ethet e vettingut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë po interviston 22 prokurorët që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e njësisë së antikorrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, pas mungesës për intervistën e programuar të kryhej ditën e sotme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurori, Behar Dibra do të intervistohet ditën e premte (12 korrik) në orën 12:00.

Behar Dibra i cili kandidon për SPAK përmes një letre të drejtuar KLP-së ka sqaruar se nuk mund të paraqitet në intervistë pasi ditën e sotme kishte një seancë gjyqësore në orën 09:00 gjë që binte ndesh me orarin e intervistës së parashikuar nga KLP.

Ndërkohë ditën e sotme në KLP në intervistë janë futur prokurori Besim Hajdarmataj, Besnik Muçi, Doloreza Musabelliu dhe Donika Prela.

Procesi i intervistimit është faza e fundit që realizon “qeveria e prokurorëve”, e cila brenda javës pritet të listojë kandidatët, sipas aftësive të tyre profesionale dhe kontributit që gjithsecili ka dhënë në drejtësi, ç’ka do të ndikojë më pas dhe ne emërimin përfundimtar të emrave që ia dalin të kalojnë me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit.

Për strukturën e posacme garojnë 23 prokurorë, 10 prej të cilëve e kanë kaluar shkallën e parë të vettingun, një është shkarkuar nga detyra, ndërsa 12 të tjerë, presin të përballen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit./b.l/noa.al/