Transmetuar më 09-07-2019, 15:33

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar pas përgjigjes së ambasadorit të Austrisë në Tiranë Johann Sattler për kryebashkiaken në detyrë të Shkodrës Voltana Ademi.

Ndërsa Sattler i tha Ademit se jemi në 2019 e jo 2013, Vasili shkruan se Shqipëria jeton akoma nën një kryeministër të 1913. Sipas tij disa ambasadorë kanë bërë vetëm pushime në Shqipëri, duke aluduar madje se mund të jenë sponsorizuar nga kryeministri.

“Shqipëria jeton akoma (edhe për shumë pak kohë) nën një kryeministër të 1913 edhe sepse disa ambasadorë kanë bërë vetëm e vetëm pushime në Shqipëri, mos e dhënte Zoti të sponsorizuar nga vetë kryeministri që bën votime moniste që s’gjenden më as në Afrikën e zeze.

Këto votime për faqe të zeze ku kryeministri vjedh edhe veten e bëhet gazi i botës disa….nuk i shohin. Dhe pastaj na thonë didaskalirat e integrimit europian…Integrim europian me monizëm ua ua ua”, shkruan Vasili.

Më herët Ambasadori austriak në Shqipëri, Johann Sattler i ka kthyer përgjigje letrës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademit për ngritjen e një komisioni administrativ ndërkombëtar për të qeverisur bashkitë shqiptare.

Në një postim në Tëitter, Sattler tha se Shqipëria duhet ti zgjidhë vetë problemet politike pasi është një vend që aspiron të hapë negociatat për në BE.

“Do isha i lumtur të diskutoja. Por 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron të hapë negociatat me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojiten dy gjëra: Sezoni i konfliktit duhet të ndiqet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime me mendje të qetë”, shkruante ai./b.l/noa.al/