Shuhet shkrimtari dhe gazetari i njohur shqiptar
Transmetuar më 09-07-2019, 14:19

Është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare shkrimtari, poeti dhe gazetari fierak, Maku Pone, i cili ka humbur betejën me sëmundjen.

Pone ishte një emër shumë i njohur për qytetin e Fierit e më gjerë, pasi ka një kontribut jo vetëm në jetën kulturore të qytetit, por dhe në historinë tonë letrare. I lindur në Fier në 1 Mars 1939, ai kreu studimet e mesme në Shkodër ndërsa studimet e larta ne Moskë për inxhinieri nafte.

Ka studiuar gjithashtu për filozofi. Pasi u diplomua punoi si inxhinier për një periudhë relativisht te shkurtër në industrinë e naftës. Në vitin 1974 filloi punë si kryeredaktor ne gazetën e qytetit te Fierit.

Pas debutimit me disa drama që u vunë në skenat profesioniste, ne vitin 1983 filloi punë si libretist (dramaturg) pranë teatrit “Bylis”. Më pas punoi ne televizionin rajonal TV Apolon.

Pavarësisht nga punët që ka kryer ne vite, krijimtaria letrare ka qenë drejtimi kryesor i jetës së tij. Në letërsi ka botuar qysh ne vitet pesëdhjetë. Ne vitin 1969 ka dalë me librin e tij te parë poetik Kur buzëqeshin shokët.

Përveç poezive ka shkruar mjaft për teatrin dhe një kohë i është kushtuar edhe letërsisë për fëmijë. Ka fituar pesë çmime te ndryshme në konkurset-kombëtare në gjininë e poezisë (2 herë), ne prozë (2 herë) dhe në dramaturgji (1 herë).

Loading...
Loading...