Transmetuar më 09-07-2019, 12:35

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Europës Juglindore.

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta, shprehu keqardhjen që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit.

Ai vuri në dukje se. “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”

Po ashtu Meta shprehu besimin se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën e SEECP-së, do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, forcimit të dialogut politik si dhe përmirësimit të situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon.

“Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti”, deklaroi Ilir Meta.

Sipas tij, thelbësor është përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian.

Ai u ndal në domosdoshmërinë e arritjes së rezultateve të prekshme, duke u përqendruar në reformat që forcojnë institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si dhe krimit të organizuar.

Meta tha gjithashtu se eksodi i një numri të madh të rinjsh të arsimuar e të kualifikuar përbën një kërcënim të mundshëm për stabilitetin e vendeve tona.

“Kjo dukuri nuk perceptohet si diçka e përkohshme dhe duhet të adresohet nga çdo qeveri më vete, por edhe bashkarisht nga të gjithë aktorët relevantë në rajon. Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe vënia e theksit te perspektiva europiane u siguron të rinjve një shtysë pozitive për të çliruar potencialin e tyre në nxitjen e pajtimit në rajon si dhe në ndërtimin e shoqërive të begata”, tha kreu i shtetit.

Ai nënvizoi se Shqipëria, duke qenë vendi pritës i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, po i inkurajon këto nisma të reja që të shndërrohen në shembujt më të mirë të promovimit e bashkëpunimit midis të rinjve në rajon përmes shkëmbimit të programeve dhe veprimtarive. /a.y/noa.al