Transmetuar më 09-07-2019, 08:31

Dalin detaje të tjera lidhur me sekuestrimin e 1 milion euro të pasuri të paluajtshme, të cilat rezultonin në pronësi të një të moshuare.

Pronat në Tiranë dhe Pogradec, rezultonin në pronësi të së moshuarës Vergjinush Durollari, 76 vjeçe.

Por hetimet e policisë dhe Prokurorisë zbuluan se këto prona ishin të ardhura nga krimi të cilat i kishte kaluar në emër të së ëmës Almanda Durollari dhe bashkëjetuesi i saj italian Francesko Cocilovo.

Kështu pronat u vunë nën sekuestro pas finalizimit të një operacioni të koduar “Transferta”, duke vënë nën sekuestro preventive disa pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Pogradec, të cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm dhe që kapin vlerën 1 milion euro

Bëhet fjalë për prona të cilat ligjërisht rezultonin në pronësi të një gruaje pensioniste.

Drejtoria Hetimore Qendrore, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, zhvilluan Operacioni Policor “Transferta", për sekuestro preventive të disa pasurive të paluajtshme të shtetasve Almanda Durollari, Virgjinush Durollari, dhe shtetasit italian Francesko Cocilovo.

Operacioni u zhvillua në funksion të procedimit penal të vitit 2018, regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Bazuar në vendimin e datës 5 korrik 2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, u vendos sekuestro preventive mbi pasuritë: dy apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2; 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2; një njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2;

Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 1 milion euro.

Shtetasja Almanda Durollari, dhe shtetasi italian Francesko Cocilovo, janë proceduar më parë nga autoritetet gjyqësore italiane, nga Guardia di Finanzia e Comos, për veprat penale të mashtrimeve financiare, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false.

Nga hetimi ka rezultuar se të dy këtyre shtetasve, Guardia di Finanza, ju ka sekuestruar rreth 2.388.611 euro në Itali, të cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i tyre.

Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Pogradec, rezultoi se shtetasja Almanda Durollari, bashkëjeton me shtetasin italian Francesko Cocilovo, dhe banojnë në Itali.

Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të shtetases Vergjinush Durollari, me banim në Pogradec nëna e shtetases Almanda Durollari, pensioniste.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, po vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm të këtyre personave, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. /a.y/noa.al