Transmetuar më 09-07-2019, 01:13

Lideri demokrat Lulzim Basha e quajti gabim marrëveshjen politike me Edi Ramën në 2017-ën kur pas muajve protestë në çadër ai hyri në zgjedhjet parlamentare me qeveri teknike.

“Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, tha Basha gjatë protestës për rrëzimin e qeverisë Rama.

Kryedemokrati tha se qeveria është e lidhur me krimin dhe e ardhur nga vjedhja e votave dhe se nëse nuk ndëshkohen para drejtësisë së re personat e përfshirë në shit-blerje të votave, nuk do të ketë zgjidhje të krizës.

“Ata që sollën krimin në politike, ata që e zhytën qeverisjen në korrupsion nuk do dalin nga kriza si shpëtimtarë por si përgjegjës, vetëm kjo e shpëton të ardhmen integruese të Shqipërisë, nxjerrja e politikanëve para drejtësisë së pavarur. Derisa të dalin para drejtësisë ata që vodhën zgjedhjet nuk do ketë zgjidhje. Do bëjmë çdo përpjekje, do përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë së pavarur, dhe bashkë me ta do të largojmë edhe Edi Ramën nga pushteti”, tha Basha.

Por ‘kërcënimet’ lideri demokrat nuk i pati vetëm ndaj hajdutëve të votave. Foli për zhytjen në abuzim tek media, bizneset dhe kriminelët e rrugës, që siç Basha u shpreh “do ti shtypë pa mëshirë”.

“Përgatituni për ditën e gjykimit. Kriminelëve u themi ne do ju shtypim pa mëshirë. Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërruese. Shqipëria, e bukura e dheut, do të jetë një vend i lirë, me fundin e këtij regjimi kriminal. Fund të fortëve të rrugës, fund të fortëve të politikës, të medias, të biznesit, hapja dhe liria është fundi i të fortëve”, u shpreh kryetari i PD-së.

Ai e cilësoi si sfidë parësore këtë gjë kur tha: "

Për të patur një qeveri të popullit duhet,  duhet në radhë të parë një reformë e thellë kushtetuese, politike dhe zgjedhore dhe reformë e partive politike.

Këto reforma do të garantojnë mundësinë e kujtdo për t’u zgjedhur. Do të sigurojnë që paratë e krimit dhe oligarkëve të mos kenë rol në zgjedhje. Që Administrata dhe burimet qeveritare të mos kenë rol në zgjedhje. Që Mediat të mos jenë instrument i manipulimit të votuesve.

Kjo do të jetë sfida e parë pas largimit të Edi Ramës nga pushteti. Do të jetë sfidë e vështirë, por ne do ta realizojmë."