Transmetuar më 08-07-2019, 18:08

Një nga mediat më të njohura në Angli, tabloidi “The Sun” i ka kushtuar një artikull bandave shqiptare të trafikimit të lëndëve të forta narkotike, që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas këtij artikulli bandat shqiptare kontrollojnë sasi të mëdha të kokainës dhe heroinës.

Droga që kontrollohet prej tyre është më e lirë dhe më e pastër, që nga vitet 1990, pasi bandat shqiptare përdornin ligjet e shitjes me pakicë.

Shqiptarët madje janë duke udhëhequr industrinë e Britanisë, me 5 miliardë euro kokainë.

Mijëra shqiptarë që emigruan në Britaninë e Madhe, në fund të viteve 1990, sipas këtij artikulli, mes tyre ishin shumë shqiptarë që pretendonin të ishin kosovarë, në atë që është përshkruar si “rasti më i madh i kalimit të kombësisë”, në historinë e kohëve të fundit të emigracionit, në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë që kronika e zezë në vendin ishullor nuk mbyllet me kaq për shqiptarët.

Mediat britanike raportojnë se skuadra e ekstradimeve në Policinë Metropolitane në Londër kërkon ndihmën e publikun më lokalizimin shqiptarit më të kërkuar në vendin e tyre.

Ai është fieraku Hektor Mahmutaj i dënuar në mungesë me 25 vite burg.

Sipas komunikatës së shpërndarë për mediat Policia Metropolitane thotë se Mahmutaj, 43 vjeç u arrestua për qëllim ekstradimi më 11 Janar 2018.

Por pas disa seancash gjyqësore të ekstradimit ai u la i lirë me kusht.

Më 27 Mars 2019 kur ai duhej të paraqitej në gjykatë, ai u zhduk.

Mahmutaj raportohet se ka jetuar i fshehur në Britani për më shumë se 20 vjet, duke përdorur 13 emra false, me qëllim për t’i shpëtuar çdo lloj gjurme.

Ai u dënua për vrasje në mungesë të tij në prill të vitit 2000.

Ai akuzohet për “vrasje me paramendim, prodhim ilegal dhe mbajtje të armëve dhe municioneve ushtarake”. /a.m/noa.al/