Transmetuar më 08-07-2019, 14:08

“Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, qytetarët e të cilit vazhdojnë të varfërohen në mënyrë të pandalshme”.

Kështu tha në një dalje për mediat, ish-deputetja demokrate Oriola Pampuri.

Ajo deklaroi se një anketim i Barometrit të Ballkanit tregon se gjendja e ekonomisë në familjet shqiptare po përkeqësohet nga viti në vit dhe se me qeverinë e Edi Ramës 1/3 e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin ose thënë ndryshe, 31 për qind e familjeve në Shqipëri nuk sigurojnë dot bukën e përditshme, veshjet dhe nevojat bazë.

Sipas saj, asnjë nga vendet e tjera në rajon nuk ka këtë nivel skamjeje, e cila për Shqipërinë është gati dy herë më e lartë se mesatarja e rajonit.

Pampuri shtoi se ajo që e bën edhe më të rëndë gjendjen është përkeqësimi i ekonomisë familjare dhe rritja e frikshme e numrit të familjeve që nuk përballojnë dot nevojat bazë për jetën.

“Treguesi i rritjes së varfërisë dhe skamjes është simboli i qeverisë së Edi Ramës. Brenda 12 muajsh ata që nuk kanë bukë të hanë apo të sigurojnë veshje për fëmijët e tyre është rritur me 6 përqind. Mbi 65 përqind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura për të përballuar as dhe një javë pushime. Anketa e Barometrit të Ballkanit nxjerr në pah se problemet kryesore të shoqërisë shqiptare janë papunësia, situata e keqe ekonomike, korrupsioni, krimi dhe emigracioni. Këto janë 5 fusha ku qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht”, u shpreh ish-deputetja demokrate.

Për Pampurin, zhytja e shqiptarëve në varfëri nga viti në vit, pasurimi i vetë dhe i një grushti njerëzish pranë tij me projekte korruptive, me taksa të larta, me vjedhje dhe grabitje të pasurive të vendit, janë arsyeja kryesore pse 85% e shqiptarëve e refuzuan Edi Ramën në 30 Qershor.

Në këtë linjë tha se pas 6 vitesh keqqeverisjeje, shqiptarët e kanë tani të qartë se Edi Rama nuk ndjen asnjë detyrim për ta, pasi pushtetin e ka blerë me krimin dhe paratë e korrupsionit.

Ajo deklaroi se sot shqiptarëve u duhet një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin dhe se këtë e mundëson vetëm vota e lirë, por me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Siç dëshmoi në farsën ilegjitime dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, Edi Rama edhe kur është vetë votues, vetë numërues, vetë certifikues, nuk bën dot zgjedhje pa i vjedhur ato. Është në interesin tonë më të mirë, të tregojmë se jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund betejës sonë europiane për zgjedhje të lira e të ndershme, për një qeveri që punon për mirqenien e shqiptarëve dhe punësimin e tyre”, tha Pampuri, duke ftuar qytetarët që ti bashkohen protestës së mbrëmjes së sotme në Tiranë. /a.y/noa.al

Sa dyfishi i Ballkanit, del shifra se sa familje shqiptare s’përmbushin nevojat për ushqime dhe veshje