Nga Mero Baze: Referendum për të gjykuar bojkotin!
Transmetuar më 30-06-2019, 05:04

Kjo e diel është dita më paradoksale e historisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Për shkak të një strategjie të qartë të partive të opozitës, për të prodhuar destabilizim politik dhe për të mposhtuar kryeministrin Edi Rama me mjete jo politike, ato vendosën të përdorin bojkotin si armën më të fortë ekstreme të tyre.

Shumë vetë besonin se ata do të tërhiqeshin dhe e kishin thjesht shantazh. Por në fakt, ja dolën ta çojnë deri në fund.

Sot duhet të ishte një ditë e lumtur për gjithë kolegët e mi që mbështetën dhe frymëzuan bojkotin, për gjithë opozitarët që ju përkushtuan bojkotit, si rruga e vetme për të mposhtur qeverinë, dhe natyrisht, një sukses politik për Sali Berishën, Ilir Metën dhe pasuesit respektive, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Çuditërisht, në vend që sot ata të bërtasin “fitore”, pasi ja kanë arritur të prekin cilësinë kryesore të zgjedhjeve, që ka të bëjë me konkurrencën, ata po përpiqen të tregojnë me gisht se këto nuk janë zgjedhje, po votime, dhe këtë “sukses” ja delegojnë qeverisë.

Atë që nuk e ka bërë asnjë parti në Shqipëri në 30 vjet, atë që PD nuk e bëri në vitin 1997, ku nga Shkumbini e poshtë, e prisnin me kallashnikovë në dorë, atë që PS nuk e bëri më në vitin 2011, që pasi ja vranë katër vetë në Bulevard, dhe pasi ja vodhi Basha mandatin e Tiranës me zë dhe figurë Ramës, para miliona shqiptarëve, përsëri vazhdoi rrugën institucionale, e bëri në vitin 2019, Sali Berisha me Ilir Metën.

Ata e nxorrën opozitën nga zgjedhjet, duke u premtuar shqiptarëve se 30 qershori do të jetë thjesht ditë votimesh.

Tani së paku, ose të gëzohen për këtë që bënë, ose të na kursejnë lotët dhe moralin për integritetin e votës së 30 qershorit.

Nuk di që ka ndonjë shqiptar që është i lumtur për atë që ndodh sot në KZAZ-të e Shqipërisë, nuk di nëse ka ndonjë qytetar të këtij vendi, që ndjehet i lumtur pse opozita bëri këtë akt vetëvrasës, por nuk di të ketë ndonjë opozitë në botë, që fitoren e saj të menduar gjatë, bojkotin e zgjedhjeve, tani e paraqet si vepër të qeverisë.

E gjithë kjo, se nuk pranon dot që qeveria i ka rezistuar shantazhit të saj, dhe se SHBA dhe Bashkimi Europian, kanë kuptuar se vendimi i opozitës nuk bazohej në ndonjë shkak real, por në një makth të udhëheqësve të saj për pushtet në tavolinë dhe pazar për reformën në drejtësi.

Ky është i vetmi rast në botë ndoshta, ku shumica në pushtet dhe vendet perëndimore, zgjedhin të shkojnë në zgjedhje pa konkurrentë, për të eleminuar një minë me sahat që do të komandohej nga çdo dorë e papërgjegjshme, sa herë do t’i tekej të hidhte në erë Shqipërinë.

Loading...
loading...
Loading...