Pas përgjimeve të reja nga “Bild”, lidhur me audiopërgjimet për shitblerjen e votave në Dibër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë një reagim për mediat nga “selia blu” ku shprehet se qeveria e mbushur me kriminelë, po i grabit gjithçka shqiptarëve.
Basha është shprehur më tej se ndien keqardhje që sot një votë kushton 4 mijë lekë dhe se sipas tij ky është dënimi më i madh që mund ti bëhet një shoqërie.
"Do duhet që sot të ndihesha mirë dhe i çliruar nga një barrë e madhe. I vetmi projekt që ka pasur Edi Rama është plaçkitja e Shqipërisë. E ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin.
Sot ndihem keq dhe i trishtuar për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri.
Jam i trishtuar se sot një votë kushton 4 mijë lekë. Ky është dënimi më i rëndë që mund ti bëhet politikës. Dënimi më i madh që mund ti bëhet një shoqërie", tha Basha.
Kryedemokrati ka vijuar më tej duke thënë se:
"Jjam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve. Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur. Në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm – ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë’, tha Basha. /a.k/noa.al/