Transmetuar më 15-06-2019, 14:08

Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës për armëmbajtje pa leje, njëri nga të cilët pas denoncimit nga e shoqja për dhunë në familje.

Kështu mbrëmjen e kësaj të premteje nga forca e posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me efektivët e komisariatit nr.3 është kapur dhe arrestuar në flagrancë 23-vjeçari A.D., banues në Tiranë.

I riu është kapur me armë zjarri me vete në rrugën “Dervish Hatixhe” me një pistoletë të markës ‘Glock’, me një krehër me 15 copë fishekë luftarakë.

Gjithashtu nga efektivët e komisariatit nr.4, është parandaluar një rast i dhunës në familje me pasoja të mëtejshme, ku u bë arrestimi në flagrancë i B. F., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij, u bë pas njoftimit të marrë se 42-vjeçari ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Kështu policia ka shkuar menjëherë në adresën e dhënë ku gjatë kontrollit shërbimet e policisë i gjetën shtetasit B.F., një armë zjarri me mulli, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al