Transmetuar më 14-06-2019, 19:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas kërkesës së disa kryetarëve të bashkive të djathta për të liruar ambientet ku janë vendosur KZAZ-të, në kuadër të zgjedhjve lokale.

KQZ deklaron se ky veprim është në shkelje flagrante të ligjit

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa dhe veprime janë në shkelje flagrante të dispozitave të Kodit Zgjedhor, parimeve të përgjithshme të tij, dhe i ngarkojnë kryetarët e këtyre bashkive me përgjegjësi penale dhe administrative sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, tha për mediat zëdhënësja e KQZ-së.

Teksa apelohet për zbatimin e ligjit, për të mos penguar procesin zgjedhor, KQZ paralajmëron drejtuesit se do merren të gjitha masat ligjore.

“Në rast të mosreflektimit pas këtij komunikimi, vijimit të qëndrimeve apo veprimeve në cënim të punës për administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, KQZ në përmbushje të detyrës dhe përgjegjësive të tij, do të ndërmarrë veprimet sipas përcaktimeve të ligjeve në fuqi, për të shmangur çdo pengesë apo qëndrim që tenton të cënojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ditën e sotme, kryetaret e bashkive Mat, Kamëz, Kavajë, Gjirokastër, Dropull, Përmet, Delvinë, Shkodër, Tropojë, kanë kërkuar shkresërisht lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur selitë e KZAZ-ve dhe Vendet e Numërimit të Votave, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve ose heqjen tyre nga ambjentet e shkollave që janë në administrim të bashkive. /k.k/noa.al/