Transmetuar më 13-06-2019, 19:25

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka quajtur të sëmurë patologjik Kryeministrin Edi Rama.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit me Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, znj. Kryemadhi u shpreh se Rama e ka marrë me para çdo gjë në jetën e tij, dhe jo me meritë.

“Përballë nuk kemi një politikan, një kryeministër që lexon mbi të gjitha vullnetin e popullit të tij por kemi një të sëmurë patologjik. Fatkeqësisht të gjitha gjërat në jetën e tij nuk i ka marrë për meritë, por me para, shantazh. Ka ardhur si rezultat i kompromisit. Të gjitha gjërat në jetën e tij i ka arritur nëpërmjet blerjes”, tha Kryemadhi.

Ajo vijoi duke akuzuar Kryeministrin se shkatërroi gjithçka që ishte ndërtuar në të mirë të proceseve integruese.

“Ky zotëri në më pak se 28 muaj ka shkatërruar të gjithë këtë proces. Shqipërisë po i kthehen vizat nga Holanda, e cila i ka propozuar këshillit Europian Franca dhe Zvicra ka nisur procesin ndërkohë. Holanda e ndau Maqedoninë e Veriut  për të vijuar punën për çeljen e negociatave, ndërsa Shqipëria mbeti në vendnumëro”, vijoi Kryemadhi.

Sipas kryetares së LSI-së “sot problemi kryesor që ka vendi është kapja e shtetit, krimi, droga, korrupsioni, mosfunksionimi i institucioneve”. /k.k/noa.al/