LSI: Presidenti mbrojti kombin nga një konflikt civil e social, Rama do të vendoset monizmi
Transmetuar më 11-06-2019, 13:00

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat, tha sot se Presidenti me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit ka mbrojtur dy kolonat e republikës parlamentare, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Rama se po kërkon të çojë popullin në konflikt të fortë social dhe të zhdukë pluralizimin politik.

“Presidenti i Republikës ka nxjerrë dje një dekret për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit. Presidenti ka kryer një veprim kushtetues që ka mbrojtur dy kolonat e republikës sonë parlamentare: pluralizmin politik, ka mbrojtur unitetin e kombit nga një rrezik ekstrem konflikti civil dhe social të pashembullt. Rilindja e interesuar të përvijojë puçin kushtetues të rrëmbimit kriminal të pushteteve”, deklaroi Vasili.

Më tej ai theksoi se ky kryeministër ka humbur njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka të drejtë të administrojë më zgjedhje në Republikën e Shqipërisë. “Rama është i interesuar drejtpërdrejt që në Shqipëri të vendoset monizmi, zhdukja e pluralizmit politik dhe kërkon të vendosë në konflikt të fortë social popullin e nëpërmjet kësaj të shtyjë orët e pushtetit për të vijuar të vjedhë qindra miliona pa u ndëshkuar”, tha ai.

Vasili deklaroi se në këtë situatë udhëkryqi të rrezikshëm, opozita është më e palëkundur dhe më e fortë se kurrë për të mbrojtur demokracinë nga krimi dhe në mënyrë që të jenë qytetarët që të përcaktojnë të ardhmen. “Kjo betejë është për të shpëtuar themelet e shtetit dhe të ardhmen e fëmijëve tanë nga rrëmbimi kriminal që ka një fund të sigurt pasi sot përballë ndodhet një popull i tërë i vendosur në një kauzë të drejtë”, tha Vasili.

Loading...
loading...
Loading...