FALIM, POR NUK HARROJMË – Nga Arlinda Çausholli
Transmetuar më 10-06-2019, 23:01

Kardinali shqiptar që vuajti 28 vjet burg dhe u përzgjodh nga Papa Francesco si misionar i lartë nderi i Kishës Katolike ishte ne aeroport sot. Dom Ernest Simoni, nje burrë i këndshëm 91- vjeçar, i veshur sportiv me një kapele repistash në kokë, apo siç e quante ai me shaka kapele gangsterash, ku ndriçonte mbishkrimi "Epic", na tha sot: "Armiqtë i kam falë. Ka kush i dënon për veprat e tyne. Unë i kam njoft, i kam falë, i kam dashtë, e jam rujt prej tyne".

Kur ai tha armiqtë, qarku i shkurtër i trurit tim u lidh në kohë reale me aktualitetin sot dhe mendova për të gjithë armiqtë pa armë, që punuan për këto 30 vite kundër vendit të vet, kundër shqiptarëve, kundër drejtësisë, kundër pronës, kundër edukimit, ata që u përpoqën dhe vazhdojnë të përpiqen që pushtetin e marrë vetëm nga 30 përqind të popullsisë militante – apo asaj që u shit lirë për një vend pune apo me metoda të fortësh – ta mbajnë me zor, apo ta fitojnë me zor. I përçmoj ata që patën interesa për babëzitje dhe mirëkuptoj kush pati varfërinë e dëshpërimin. Ndërkohë, një pjesë tjetër refuzoi votimin se nuk kishte alternativë. Votime të gjymtuara si vetë Shqipëria. Dhe përfunduam në një parlament, ku njerëzit e thjeshtë nuk përmenden asnjëherë, e as problemet e tyre që rëndojnë çdo ditë të tashmen dhe largojnë të ardhmen.

A mund t’i dua armiqtë e mi? Zemër e madhe kjo e Dom Ernestit, tolerancë hyjnore që njerëzit normalë nuk e kanë. Por kur veshët e dëgjojnë, diçka nga realiteti shkëputet dhe përballë 91 viteve jetë të pashembullt të kardinalit, ti dorëzohesh, dhe beson në ekzistencë ndjesish që t’i dhuron ndoshta besimi, natyra, Krishti, Muhamedi, apo ndoshta nëna jote.

Ngërçi do të zgjidhet dhe të gjithë personazhet e këtij vendi që e vranë shpirtërisht, moralisht, fizikisht, e shembën në dinjitet Shqipërinë dhe nuk e deshën asnjëherë, do të hanë kokën e njëri-tjetrit. I falim? Ndoshta po. Por nuk harrojmë.

Loading...
Loading...