Tërmetet në Korçë, mblidhet Shtabi i Emergjencave: Do ndërtojmë banesa të reja
Transmetuar më 06-06-2019, 16:50

Korça është zgjuar mëngjesin e sotëm sërish nga tërmeti, duke shkaktuar shumë panik tek banorët.

Prej disa ditësh ajo është goditur nga disa tërmete rresht, ku më i fuqishmi ishte 5.3 ballë. Në vendbanime e fshatra të zonës jug-lindore të vendit kishte pasoja në dëme materiale, ndërsa u plagosën 4 persona.

Sot në Korçë është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civiile, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Prefekti Dhori Spirollari deklaroi se 121 shtëpi janë dëmtuar plotësisht në të gjithë Korçën, kurse ka bërë edhe një analizë të situatës. Ai është shprehur se banesat ose do rindërtohen, ose do bëhet lagje e re në Floq.

“Kemi 121 shtëpi të shkatërruara plotësisht. Në Floq kemi dërguar ekspertë të studimeve sizmologjike. Do të vlerësohet nëse do të rindërtojmë banesa aty ku ishin. Do të vlerësohet dhe mund të bëjmë ndërtime banesash në vende të tjera”, tha prefekti Spirollari.

Në qytetin e Korçës fshatrat më të prekur janë Floqi, Vidova dhe Qafë Zezë. Në këto fshatra janë dëmtuar në  total 307 banesa të dëmtuara, 95 prej tyre të shkatërruara. Ndërsa familjet e këtyre zonave prej ditësh janë strehuar në çadrat e vendosura nga Emergjencat Civile.

Nga ana e qeverisë janë marrë masat dhe janë ngritur grupe për të shqyrtuar dëmet e shkaktuara. Së fundmi në fshatin Floq ka qënë edhe kryeministri Rama i cili ka premtuar se të gjitha shtëpitë e dëmtuara do të rindërtohen brenda verës./b.l/noa.al/

Loading...
loading...
Loading...