Transmetuar më 31-05-2019, 21:10

Dhjetëra persona janë përfshirë në listën e të padëshiruarve, “non grata”, të cilët nuk mund të hyjnë, të vizitojnë apo të qëndrojnë në Kosovë.

Institucionet e Kosovës konfirmojnë se kanë tashmë të hartuar një listë me emrat e personave dhe zyrtarëve, kryesisht nga Serbia, por edhe nga vendet tjera, të cilët janë të padëshiruar të hyjnë në Kosovë.

Së fundi, kësaj liste i është bashkuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe zyrtari i Kombeve të Bashkuara, punonjës në misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Mikhail Krasnoshchenkov nga Rusia, i cili ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës.

Lista me emrat e personave të padëshiruar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Kosovës, është e gjatë dhe përfshin kryesisht emra të zyrtarëve, politikanëve aktualë dhe ish-udhëheqësve të ushtrisë serbe.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, i thanë radios Evropa e Lirë, se lista përmban emrat e dhjetëra personave, që kryesisht janë nga Serbia, e të cilët nuk mund të futen në territorin e Republikës së Kosovës.