Transmetuar më 31-05-2019, 20:54

Arrestohet kapiteni i anijes që u përmbyt në lumin Danub, duke shkaktuar të paktën 7 viktima.

Lajmi është bërë i ditur nga policia hungareze, duke thënë se kapiteni 64-vjeçar dyshohet se nuk është treguar i kujdesshëm për sa i përket trafikut ujor, duke shkaktuar përplasjen e anijes me një tjetër.

Anija kishte në bord turistë nga Koreja e Jugut, u përmbyt vetëm shtatë sekonda pas përplasjes.

Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 21 personave të zhdukur, por shpresat se ata mund të jenë gjallë janë shuar.

Një hetim penal ka filluar për incidentin.

Raste të tilla rrallë ndodhin në Danub ku përgjithësisht lundrimi është i sigurt.

Nga ana tjetër, autoritetet e Koresë së Jugut ankohen se turistët nuk kanë qenë të pajisur me jelekë shpëtimi.

Niveli i  Danubit, lumi i konsideruar një magnet i vërtetë për turistët është rritur ndjeshëm prej reshjeve të dendura të shiut, ndërsa ekipet e shpëtimit paralajmërojnë se rrymat e forta mund t’i tërheqin njerëzit me vete.