Transmetuar më 22-05-2019, 18:25

Pasuri me vlerën e rreth 1 milion eurove janë sekuestruar nga autoritetet e drejtësisë në Durrës, ndaj një personi që rezulton i dënuar në Itali.

Policia lokale bën me dije se pas një hetimi dyvjeçar të zhvilluar me metoda speciale është arritur të dokumentohet se 57 vjeçari Xhakomin Seferi, e ka përfituar këtë pasuri në bazë të aktivitetit kriminal të ushtruar në Itali.

Ai është dënuar në Itali me 3 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Gjobëvënie e kryer në bashkëpunim”.

Burime nga policia bëjnë me dije se në përfundim të hetimeve u bë sekuestrimi i llogarive bankare me vlerë 30 milionë lekë dhe 5.770 euro, si dhe 7 pasuri të paluajtshme si truall, banesa, garazh, apartamente me një vlerë monetare në total rreth 1 milion euro, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga ushtrim aktiviteti të paligjshëm.

Materialet hetimore u kaluan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme./b.l/noa.al/