Hollanda fiton Eurovizion 2019. Votimi gjeografiko-politik dhe qokat triumfojnë sërish
Transmetuar më 19-05-2019, 01:27

Është mbyllur një orë pasi hyri e diela edhe edicioni i 64-të i Festivalit Evropian të Këngës. Edhe ky mund të konsiderohet festival gjeografiko-politik dhe bërës qokash sidomos mes fqinjësh.

Ashtu siç u pa qartë edhe sonte si rëndom çdo vit, fqinjët i bënë qokat njëri tjetrit kurse shtetet e vogla bënë vasalet e të mëdhave.

Shtetet e ish Bashkimit Sovjetik votuan masivisht për Rusinë ashtu si Mali i Zi, ato nordike për Suedinë, të vegjlit San Marino dhe Malta për Italinë, Qipro për Greqinë e kështu me radhë.

Në këtë mënyrë vazhdoi dhe sivjet votimi gjeografik dhe juritë e shteteve i bënë qokat njëra-tjetrës.

Fqinjët si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi as që e përfillën Shqipërinë, ne ia dhamë maqedonasve që zgjodhën Italinë.

Ajo që u vu re ishte fakti tjetër pesimist se edhe pikët nga votimi me sms ishin më së shumti qoka. Shumë pikë mori Rusia e votuar fort nga ish republikat sovjetike.

Plot pikë mori Norvegjia e votuar nga nordikët etj.

Fitues u shpall Duncan Laurence nga Holanda me këngën e tij “Arcade”, e cila ishte pretendente që prej fillimit të Eurosong 2019.

Kënga e tij flet për një dashuri të pamundur me një person që nuk jeton më.

Vitin e ardhshëm pritet që spektakli të zhvillohet në Amsterdam.

Shqipëria mori 90 pikë, ku 43 nga juritë e 41 shteteve dhe 47 publiku, kurse u vlerësua mjaft edhe në rrjetet sociale, vlerësim gjithsesi i pavlerë për kalkulimet në Eurosong 2019.

Këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi u shpreh mjaft e kënaqur me prezantimin e saj në Eurosong 2019. Kënga “Ktheju Tokës” u rendit në vendin e 18-të nga gjithsej 26 këngë finaliste. /noa.al/

Loading...
Loading...