Ditë zie në nderim të tij, mbahen homazhet për major Tanushin
Transmetuar më 16-05-2019, 10:05

Dita e sotme është ditë zie, për shkak të humbjes së jetës së major Klodian Tanushit, si pasojë e shpërthimit të një mine teksa ndodhej me mision në Letoni.

Në orën 10.00 të ditës së sotme kanë nisur homazhet në nderim të tij në Muzeun Historik Kombëtar, të cilat do të zgjasin për dy orë.

Përpara arkivolit të tij janë përulur një sërë personalitetesh, për të nderuar kujtimin  e tij, që nga Presidenti Ilir Meta dhe zyrtarë të tjerë.

Në vijim, trupi i tij i pajetë do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, ashtu sikundër pak ditë më parë u përcoll kolegia e tij nëntetare Zarife Hasanaj.

Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpalli major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e të hënës së 6 majit në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 09.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Por pavarësisht ndihmës së marrë në spital, major Tanushi gjeti vdekjen më 10 maj. /a.y/noa.al

Loading...
loading...
Loading...