Transmetuar më 16-05-2019, 00:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk pret që protesta e ardhshme të jetë e dhunshme pasi siç tha ai, partia që drejton është distancuar qartë nga dhuna. Megjithatë Basha përdori të njëjtën gjuhë si Edi Rama në janarin e 2011 kur tha se nuk mund të ndalojë dot zemërimin e njerëzve.

"Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Basha të jetë komandanti i baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, i vëllezërve, motrat 3 vjeçarë të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se dontë t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësontë as banorët e ligjshëm. Këto janë vetëm 3 skandale. Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet", tha z.Basha, duke shtuar:

"Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre, si për protestën e 11 Majit, ashtu edhe për protestën e 13 Majit. Jam i sigurtë që këto do të tejkalohen si në masivitet, ashtu edhe në vendosmëri nga protesta e 25 Majit".

Gjatë ditës së mërkurë, forumet e larta të Partisë Demokratike si dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar atë që ata e quajtën gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe pas kapjes së prokurorit të përgjithshëm.

"Sot, e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, për atë që e pret në rast se zbardhen dosjet hetimore, të cilat provojnë, përmes përgjimeve të prokurorisë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së “Rilindjes”, në bashkëpunim me krimin e organizuar, për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale, për të kaluar pastaj në vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s", tha kreu demokrat.