Transmetuar më 15-05-2019, 13:10

Komandanti i kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i rënë në krye të detyrës në misionin e NATO në vendin baltik, u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij.

Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin “Enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në Aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar, me trupin e major Tanushit, i cili do të transportohet me avion ushtarak në atdhe.

Trupi i major Tanushit pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, ku do të pritet me nderime ushtarake, përpara se të dërgohet pranë familjes.

Homazhet për komandantin e kontingjentit shqiptar në Letoni, do të zhvillohen ditën e enjte në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 10:00 – 12:00.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Major Klodian Tanushi, la pas tre fëmijë ai ndërroi jetë 4 ditë pasi mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një mine në një bazë ushtarake, së bashku me nëntetaren Zarife Hasanaj./b.l/noa.al/