Transmetuar më 13-05-2019, 17:19

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u kërkon liderëve të opozitës që të dënojnë aktet e dhunës në protesta.

Përmes një reagimi, më të gjatë se zakonisht, diplomacia amerikane u drejtohet me emër z. Basha dhe znj. Kryemadhi, të cilëve u kërkon që të distancohen nga çdo akt jodemokratik.

“Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, thuhet në reagim.

Po ashtu një thirrje adresohet edhe për autoritetet, që të reagojnë me vetëpërmbajtje.

“Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve”, vijon reagimi i ambasadës duke shtuar se “protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian”.

Ambasada dënon aktin që u ndërmor në pallatin ku banon kreu i Prezencës së OSBE-së.

“Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike”, sqaronhet në reagimin në rrjetet sociale.

Në mbyllje, nxiten palët politike të dialogojnë për t’i dhënë fund këtij ngërçi. /k.k/noa.al/