Transmetuar më 13-05-2019, 14:25

Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi pretendimet e grekut Eftimius Eftimiu, në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit, ku mohoi përfshirjen në ngjarje.

Eftimiu tha se në Shqipëri kishte ardhur për gjueti, pasi ai dhe miku i tij janë të apasionuar pas gjuetisë.

Më tej, speciali grek, i dyshuar si personi që vrau Kasmin, pati ankesa për mënyrën se si transportohet nga paraburgimi në gjykatë, ndërsa tha se ndihej i pasigurt për jetën.

Gjatë seancës , dhanë dëshminë edhe dy persona, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të vrasjes.

Efthymious akuzohet për vrasjen e ndodhur më 29 janar 2018, ku iu bë atentat Devi Kasmit.

Krahas tij të pandehur janë edhe, Elton Hoxhallari 36 vjeç, Malvin Dinellari 30 vjeç dhe Elton Halipaj, 36 vjeç. Devi Kasmi (Dëfrim Kasmi) u vra në afërsi të pallatit ku banonte, ku dyshohet se e kishin nxjerrë në pritë.

Lidhur me atentatin ndaj Kasmit, pak ditë pas ngjarjes u arrestuan Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Sakaq u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes. /b.l/noa.al/