Transmetuar më 12-05-2019, 17:12

Protesta e opozitës së bashkuar zhvilluar ditën e djeshme, ka sjellë reagimin e Avokatit të Popullit.

Në raportin e e protestës së 11 majit, publikuar nga Avokati i Popullit, thuhet se janë konstatuar episode dhunë të herëpashershme ndaj institucioneve dhe forcave të rendit, për të cilat dhe ky institucion vazhdimisht ka bërë thirrje të evitohen.

Përdorimi i gazit lotsjellës si mjet për të shpërndarë protestat nga ana e policisë vazhdon të mbetet një problem shqetësues për të cilin Avokati i Popullit ngre zërin.

Gjithashtu janë konstatuar parregullsi në regjistrat e personave të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës si dhe moskryerje të disa veprimeve proceduriale në përputhje me protokollët përkatës.

Në lidhje me të plagosurit në raport thuhet se ekspertët e këtij institucioni kanë vizituar në spital 12 punonjës policie të cilët po merrrnin trajtim mjekësor për lëndime të lehta, si dhe një protestues dhe një gazetar.

Ndërsa për ndalimin e sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi thuhet se Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e ka takuar atë personalisht në spital në orët e pasmesnatës, ku ka konstatuar se ai rezultoi se po mbahej në kujdes korrekt shëndetësor.

Në raport thuhet se masat e zbatuara nga ana e Policisë së Shtetit për dërgimin dhe ruajtjen e ambienteve të Spitalit të Traumës kanë qenë edhe më të ashpra sesa ato për ruajtjen e personave të arrestuar apo të dënuar. Nga ana tjetër, punonjësve të Avokatit të Popullit u është ndaluar në mënyrë të habitshme të marrin dëshmi fotografike në spital gjatë vizitave të të lënduarve.