Transmetuar më 12-05-2019, 16:02

Finalizohen 2 operacione policore të koduara antidrogë në Sarandë dhe në Vlorë.

Nëpërmjet operacioneve  "Shëndëllia" dhe "Kota", janë sekuestruar 98 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa si dhe janë prangosur 3 persona.

Gjatë operacionit në fshatin Shëndëlli, Policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas (babë e birë) K.Ll dhe F.Ll (48 dhe 18 vjeç), për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre Policia gjeti dhe sekuestroi 83 kilogramë lënde narkotike, si dhe disa kubikë ku dyshohet si ishin kultivuar fara kanabis sativa.

Në Vlorë, u finalizua operacioni antidrogë  i koduar "Kota".

Në kuadër të këtij operacioni Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve pranë DVP Vlorë në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë bërë të mundur bllokimin e një  automjeti tip "Mercedes Benz" në aksin rrugorë "Lapardha-Kotë", ku nga kontrolli i ushtruar në të u gjet një sasi lënde narkotike me peshë totale 15 kilogramë e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin G.H., 31 vjeç, banues në fshatin Kotë, Vlorë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike". 

Materialet proceduriale  i kaluan Prokurorive respektive Sarandë e Vlorë për veprime të mëtejshme./a.k/noa.al/