Transmetuar më 12-05-2019, 01:28

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca bëri thirrje që dhuna të frenohet dhe të drejtat e qytetarëve të respektohen.

Ajo tha edhe se dhuna nuk është e s’mund të jetë as mjet e sidomos as kundërpërgjigje!

Para pak çastesh zonja Ballanca ishte në Spitalin Ushtarak ku vizitoi personat e lënduar.

Zonja Ballanca tha se vizitoi policët e lënduar, gjithsej 12 dhe tha se nuk kanë plagë serioze.

Ajo shtoi se vizitoi dhe Sekretarin Organizativ të PD, Sahit Dollapi. Ballanca tha se Dollapi kishte dëmtime në shpatull dhe gjurin e njërës këmbë. Ajo siguroi se pasi kishte folur me mjekët dhe Dollapin konstatoi se ai ishte në gjendje të mirë dhe shtoi se gjatë natës do të mbahet nën vëzhgim nga mjekët.

Ballanca mohoi që Dollapi të jetë arrestuar.

"Nuk ka asnjë komunikim nga Policia që është arrestuar. Ajo që pamë në media ishte një nga gjërat më të pabesueshme. Një njeri që rrihet kot", tha zonja Ballanca.

Kurse shtoi: "Edhe forcat e policisë nuk duhet t’i rëndojmë. 12 persona nga forcat e rendit janë lënduar. Një protestues është me dëmtime të lehta dhe Sait Dollapi. Mjekët thanë që nuk është në gjendje problematike. Fola me Dollapin dhe ishte me shëndet dhe shpirt të mirë".