Vështirësohen kriteret për në universitete, qeveria rrit mesataren e pranimit
Transmetuar më 10-05-2019, 23:00

Qeveria shqiptare vendosi sot të kthejë në vendim, propozimin e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini për të vështirësuar kriteret e pranimeve në universitete.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5 (gjashtë pikë pesë).

Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.

Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon: a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. 5. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi të jetë nota 7.5 (shtatë pikë pesë). Nota mesatare e kandidatëve që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë përllogaritet sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi.

Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.

Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.

Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Loading...
loading...
Loading...