Transmetuar më 08-05-2019, 17:02

Duka dhe dukesha e Sussex-it mirëpritën djalin e tyre mëngjesin e të hënës, më datë 6 maj. Të martën, princi William dhe dukesha Kate gjatë një dreke në King’s Cup Regatta në Londër shprehën publikisht urimet e tyre për prindërit e rinj të familjes mbretërore.

Kate u shpreh se ata janë shumë të emocionuar dhe se mezi presin që të takojnë Meghan-in, Harry-n dhe bebushin e tyre.

“Është një periudhë shumë e veçantë, pasi Louis dhe Charlotte sapo kanë kaluar ditëlindjet e tyre. Është periudha më e mirë e vitit për t`u bërë me fëmijë. Pranvera është në ajër”, -ka thënë Kate.

Ndërsa, princi William nuk mundi të mos bënte një shaka për të vëllanë, i cili sapo ka filluar rrugëtimin e prindërimit.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar t`i uroj mirëseardhjen tim vëllai në mungesën e gjumit që e pret tani që u bë prind”, -është shprehur William me shaka dhe ka vazhduar: “I uroj gjithë të mirat dhe shpresoj që ta shijojnë ardhjen e fëmijës në familje dhe gëzimet që vijnë me të”.