Ndodh edhe kjo, ilaçet shiten në ushqimore
Transmetuar më 06-05-2019, 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e të hënës se si ilaçet që duhet të shoqërohen me recetë, shiten në raftet e ushqimoreve.

Në shkelje të hapur të ligjit të barnave në Njësinë Administrative Kote të Vlorës dyqanet e fruta-perimeve shesin edhe antiflamator.

Ndërkohë që Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë e quan shkelje, por nuk ka hapësirat e duhura ligjore për të marrë masa.

Në Fiks Fare disa qytetarë u ankuan se në dyqanet ushqimore të fshatit Kote shiteshin ilaçe njësoj sikur shiteshin fruta-perimet.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan këtij fshati dhe në dy dyqane ushqimore të tij morën qetësues pa as më të voglin shqetësim, madje edhe pa kupon tatimor.

Antiflamatori që sipas nenit 52 të ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik në pikën 1 përcakton se barnat tregtohen në farmaci ose agjenci farmaceutike vetëm me recetën e mjekut.

Në të dyja rastet blerja e tyre në të dyja ushqimoret e fshatit ishte mjaft e lehtë nga gazetarët e Fiks Fare. Më pas, për kuptuar se ku i gjejnë tregtarët e ushqimoreve këto ilaçe, Fiks Fare iu drejtua farmacisë e cila ndodhej afër spitalit rajonal Vlorë.

Aty gazetarja e Fiksit kërkon një pako me qetësues me 30 bustina dhe pa asnjë recetë farmacistja ia shet, madje nuk i jep as kupon tatimore duke u justifikuar se kasa nuk punon.

Gazetarja i prezantohet si mbesa e njërit prej shitësve të ushqimores në Kote dhe farmacistja ia jep pa pyetur nëse ka recetë, ashtu siç duhet të bëjë zakonisht për një ilaç të tillë dhe ashtu siç ligji urdhëron.

Për këto raste Fiks Fare shkoi dhe u interesua pranë Urdhrit të Farmacistit. Presidentja Diana Toma u shpreh se antiflamator të tillë në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të shiten pa recetë. “Kjo nuk është e lejuar dhe është një skandal dhe në shkelje të plotë të ligjit”, shprehet znj. Toma.

Ajo shton se është e papranueshme që atributet e farmacisë t’i marrin tregtarët e ndryshëm e të kthehen në shpërndarës, pasi në këtë rast shkalla e rrezikshmërisë është e madhe dhe si rezultat edhe shkalla e alarmit.

Ajo tregon se ka disa raste të tilla që janë vënë në dijeni më përpara, por që i gjithë rrjeti i sistemit farmaceutik të jetë i mbikëqyrur nuk mjafton vetëm kontrollet apo masat e marra nga institucioni që ajo drejton. Për të luftuar këto raste duhet ndërhyrja e disa institucioneve përgjegjëse siç është Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e shtetit.

“Fatkeqësisht, terreni ligjor lë shumë për të dëshiruar”, përfundon Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

Blerja e Antiflamatorit në ushqimore

Fiksi – Më fal si kalove, ku ka një farmaci këtu.Një qetësues desha keni ndonjë atje.

Tregtari 1 – Dy copë do?

Fiksi – E mo këto të dyja. Sa bëjnë?

Tregtari 1 – Një mijë…

Fiksi – Urdhëro,shumë faleminderit !

###

Fiksi – Si kaluat? Më falni,ku mund të gjej ndonjë qetësues ndonjë kështu. S’ka farmaci këtu?

Tregtari 2 – Mbajmë ndonjë për ndihma të shpejta ..

Fiksi – Po Ibuprofen? Se mos kishe Ibuprofen?

Tregtari 2 – Nuk ka… gjëra të vogla kështu …këto ….

Fiksi – Po pra, Ibuprofeni njësoj me … është thashë ngaqë është më e fortë. Në rregull rrofsh!

Blerja në farmaci

Fiksi – Si kalove? Unë dua një kuti …. Bustinë. Sa shkon?

Farmacistja – 560 lekë .Vetëm se për momentin nuk të pres dot kasë, se nuk punon

Fiksi – Jo,s’ka problem se tezja duhet ta dijë se ajo i merr në Kotë dhe i shet aty.

Farmacistja – Në Kotë,ku i merr në Kotë?

Fiksi – S’ka rëndësi.

Farmacistja – Se nga Kota jam dhe vetë.

Fiksi – Shumë faleminderit. Mirupafshim!

Loading...
Loading...