Transmetuar më 25-04-2019, 00:30

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë Ferid Aganin, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin ish-sekretar i kësaj ministrie, me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përfitimeve të paligjshme, lidhur me rastin e njohur si “Stendat”.

Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ish-ministri Ferid Agani është dënuar me burg në kohëzgjatje prej dy vjet e gjashtë muaj, ndërsa, ish-sekretari Gani Shabani është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet.

“Gjykata ka vërtetuar se i akuzuari F.A (Ferid Agani), në cilësinë e ish Ministrit të Shëndetësisë dhe G.SH (Gani Shabani), në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me qëllim të sigurimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjerët”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani ishin akuzuar se kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kanë lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore, gjatë viteve 2011-2015.

Vendimi i kësaj gjykate mund të dërgohet në Gjykatën e Apelit.