Loading...
Koalicioni me Bashën, Kryemadhi mbledh Kryesinë dhe merr vendimin e rëndësishëm
Transmetuar më 23-04-2019, 16:44

Ditën e sotme kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nënshkroi koalicionin opozitar me kryedemokratin Lulzim Basha.

Pas këtij vendimi, Kryemadhi ka mbledhur Kryesinë e partisë, ku dhe është marrë një vendim i rëndësishëm.

Kryesia vendosi që të thërrasë Komitetin Drejtues Kombëtar me datë 26 prill, ora 11.00, për të vendosur për ecurinë e mëtejshme.

Dhjetë pikat e marrëveshjes së koalicionit opozitar

-Krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

-Partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:

(i) Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(ii) Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.

(iii) Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

(iv) Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.

(v) Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

– Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

– Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve farsë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.

– Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

– Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare apo politikat rënduese fiskale. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private .Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim,mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

– Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

– Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të të cilit dhunohen nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

-Angazhohemi për një marrëdhënie elektorale me çdo individ apo parti politike, të identifikuara aktualisht si opozitare, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...