Loading...
Nga Edison Ypi: I dashur doktor…!
Transmetuar më 22-04-2019, 21:51

I dashur Doktor,

Pas një kohe të gjatë pa patur çfarë të blenin e të shisnin, shqiptarëve j’u dukej e natyrëshme t’i kishin xhepat bosh. Ti Doktor fute në xhepat e shqiptarëve një mysafir të panjohur, një mall të çuditshëm që quhet pare. Këtë e bëre aq shpejt saqë xhepat, paret, shqiptarët, kanë rënë në një sherr të tmerrshëm mes vedi. U ngute. S’ka Zot tani të gjejë një harmoni mes shqiptarëve, xhepave, pareve. Shqiptarët gjithë jetën duke u zvarritur me këmbë, me qerre, me karroca, Ti u the zvarritësve fluturoni; mbi autostrada me makina, mbi ujëra me jahta, mbi qiej me aeroplana. Po prit o burr’ i dheut se nga këto kaltërsira dhe lartësira këtyre u merren mentë dhe bien nëpër humnera. Për shkak të agjërimit 50 vjeçar, shqiptarëve u është zvogëluar stomaku. Tani që shqiptarët i bëre të hanë si shtazë, stomaqet e tyre po zgjerohen. Zgjerimi demokratik i stomaqeve të shqiptarëve po shoqërohet me po aq dhimbje sa u deshën për tkurrjen mimetizuese diktatoriale. Edhe për këtë u ngute pak. Ti i dashur Doktor, si pasionant që je, ke lexuar me mijëra libra, mban ment përmendësh vargje, nga Eugjen Onjegini, Demoni, e të tjera e të tjera. Që është shumë mirë. Por edhe keq. Sepse duke qënë vetë pasionant, ty tu dukën të gjithë si vetja, atyre ju duk vetja si ty. Çka ishte gabim. Prej të paktën një mijë vitesh e tëhu, veç fiksimit për të spiunuar dit’ e natë njëri-tjetrin, atyre su ka mbetur asnjë pasion. Ti, i shtrenjti Doktor, duke qënë brenda vetes përsosmërisht i bindur për qëllimet e larta që ke, u flet shqiptarëve hapur. E kujt i flet hapur ? Atyre që janë genetikisht konspirativë dhe vetvetiu të mbyllur ? Korça dhe Tirana ishin më larg se Australia. Tiranë-Pogradec me tren mbante 8 orë, aq sa tani shqiptarët kapin Amerikën. E teprove me zgjerimin dhe shkurtimin e rrugëve. Tani që Elbasani mban sa një kapsallitje sysh, pas ca kohësh do na ngjallet nostalgjia për rrugën e vjetër të Qafës së Krrabës me 800 kthesa, 5 mijë humnera, 10 mijë rreziqe. Do krijohet një gjendje paradoksale; do udhëtojmë kahmos, dhe do na duket sikur s’ishim kurrkund. Ti Doktor u the shqiptarëve ejani të mbjellim me mijëra hektarë ullinj dhe arrorë. Ishte diçka vizionare, me efekte madhështore për brezat e ardhshëm. Unë, i dashur Doktor, unë që e bredh Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë me lot në sy nga Dashuria për ‘të, po të them se shqiptarët e sotëm janë vërtet vizionarë, por pa u bërë të gjithë me nga katër shtëpi prej të cilave tre vila, dhe pesë makina prej të cilave katër fuoristrada, nuk më duken aq vizionarë sa të përveshin llërët për të mbjellë ullinj që vajin e atyre ullinjve t’ja hedhin sallatës "Brezat e ardhshëm". U bëre Dritë. Ju ibyrën sytë. U dhe shembull idealizmi. Nuk e çmuan. U the të punojnë. Nuk të dëgjuan. I bëre të lirë. Nuk janë mësuar. Më strateg se Skënderbeu, më vizionar se Ismail Qemali, më elokuent se Fan Noli, më i ndjeshëm se Migjeni, më erudit se Faik Konica, më energjik se Ahmet Zogu, duhej të kishe bërë më tepër kujdes të mos rrezikohen sakrificat faraonike që bëre.

Loading...
Loading...