Transmetuar më 15-04-2019, 14:24

Gjykata e Durrësit ka marrë vendim ditën e sotme lidhur me 23-vjeçarin Elton Sefa, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Në seancën e ditës së sotme, gjykata vendosi që ta ekstradojë të riun në Britaninë e Madhe ku dhe pritet të gjykohet për krimin e kryer.

Avokati Arsen Caushaj paraqiti një sërë dokumentesh për të provuar çrregullimet mendore të klientit të tij, duke kërkuar ekzaminimin psikiatrik.

Kjo pasi qysh nga kthimit nga Anglia avokati pretendon se Sefa është shtruar në spitalin psikiatrik në Tiranë. Mirëpo këto dokumente nuk u morën parasysh nga gjykata.

Kështu u vendos që i riu kuksian i cili vrau punëdhënësin e tij John Woodward në 17 prill të 2018, të ekstradohet në Angli.

Elton Sefa ka lindur në Kukës dhe banon në Xhafzotaj- Shijak. Ai u arrestua nga drejtoria e Policisë së Durrësit më 1 mars, në kuadrin e operacionit të koduar “Eagle”.

Biznesmeni britanik John Woodëard 47 vjeç, u gjet i vdekur poshtë një godine në të cilën po punonte bashkë me shqiptarin, ndërsa ngjarja fillimisht u mendua si aksidentale.

Por hetimet e kryera nxorën në pah faktin se i ndjeri ishte hedhur nga pallati pasi ishte shtyrë nga një person.

Investigimi i kryer solli zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorit, djaloshit kuksian që jetonte në Shijak.

Pas krimit të kryer, në kushtet kur ai nuk ishte zbardhur ende, emigranti shqiptar Elton Sefa arriti të largohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe erdhi në Shqipëri.

Policia britanike tha se Woodward vdiq pasi u plagos në çatinë e ndërtesës Presman Mastermelts në Hatton Garden më 17 prill të vitit të kaluar, duke shtuar se 47-vjeçari ishte duke punuar atje si ndërtues. /a.y/noa.al