Transmetuar më 13-04-2019, 16:33

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një deklaratë për mediat komunikoi sot pezullimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Ministrja i ka kërkuar Presidentit shkarkimin e tij. “Më vjen keq për zotin Koni, unë jam udhëheqëse dhe dua të sigurohem që reforma po zbatohet. Është e vështirë që të marrësh vendim për të pezulluar dikë që është zgjedhur me vota. Vendimin për të shkarkuar rektorin e merr presidenti dhe ai do ketë në dispozicion çdo informacion. Jam dakord me Presidentin kur thotë se në Universitetin e Tiranës, nuk është zbatuar ligji dhe është keqmenaxhuar. Jam e bindur që Presidenti do të marrë vendimin e duhur për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës”, u shpreh Shahini.

Neni 39 i Ligjit për Arsimin e Lartë parashikon edhe rastet sesi procedohet për shkarkimin e një rektori. “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit”.

Deklarata e fundit e z.Koni

Kërkoj mirëkuptimin e studentëve të Univerisitetit të Tiranës, që kanë besuar për tu edukuar dhe formuar në këtë institucion, të vazhdojnë ta bëjnë atë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të hasin ata, sepse vetëm së bashku mund t’i kalojmë; kërkoj të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre për arsimim cilësor dhe të denoncojnë me forcë çdo sjellje apo rast korrupsioni që mund të hasin dhe shohin në auditore apo edhe më gjerë në ambjentet e UT-së, sepse vetëm në këtë mënyrë, Universiteti i Tiranës do të vazhdojë të jetë ai institucion që vazhdon e vazhdon prej dekadash të kërkohet nga studentët më të mirë dhe nga pedagogët më cilësorë.