Transmetuar më 13-04-2019, 11:06
Lenda narkotike e sekuestruar

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Fundjava” ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, duke vënë në pranga një person.

Gjatë këtij operacioni u vu në pranga M. H., 35 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

I ndaluari ishte në vëzhgim nga shërbimet e policisë, pasi për të disponohej informacion se merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.

35-vjeçari u konstatua duke qarkulluar me biçikletë në rrethrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur pesë doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e tij, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, dy aparate celular dhe një biçikletë.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”. /a.y/noa.al