Delegacioni serb s’pranon të ulet në tryezë me Kosovën, incident në Tiranë
Transmetuar më 05-04-2019, 12:08

Një incident diplomatik është shënuar ditën e sotme në Tiranë, gjatë një konference të parashikuar për t’u mbajtur në kryeqytet, ku ishin ftuar si delegacioni i Kosovës edhe ai serb.

Konferenca mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor, e parashikuar për tu mbajtur paraditen e sotme, është shtyrë, për një moment të papërcaktuar.

Gjithçka pasi pjesëtarët e delegacionit serb, nuk kanë pranuar të ulen në të njëjtën tryezë me homologë nga Kosova.

Bëhet fjalë për konferencën me temë “Aksioni Rajonal mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor”, ku ishte i pranishëm ministri i Mjedisit Blendi Klosi,  homologu i Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministri Klosi duke folur lidhur me incidentin tha se konferenca ishte organizuar nga OKB dhe se Kosova si pjesë e rajonit, duhet të ishte e pranishme,

Mbetet ende për t’u mësuar se cila do të jetë ecuria e konferencës, ndërkohë që Serbia nuk pranon që Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /a.y/noa.al