Transmetuar më 26-03-2019, 11:26

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 18 mars, ku në rrugën “Zef Jubani”, u vra me armë zjarri 26-vjeçari Jurgen Kurti.

Bëhet me dije se janë arrestuar tre persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.

Gjithashtu është shpallur në kërkim një person tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore.

Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm së bashku me një person tjetër të shpallur në kërkim.

Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e të dyshuarve, gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celularë, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Aktualisht hetimet janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.

Për arsye hetimore nuk bëhen me dije të dhëna të tjera pasi cenojnë hetimin.

Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Jurgen Kurti njihej si biznesmen, menaxher i VIP-ave dhe ish-model. 26-vjeçari u qëllua me armë pak pas orës 22.00 të 18 marsit, duke mbetur i vdekur në vend.

Kujtojmë se Jurgeni nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, madje ai është ndaluar dy herë nga policia, për dy vrasje të ndryshme, njëra ajo e të atit.

Më konkretisht në vitin 2016, ai së bashku me dajën e tij Leonard Ristani, u arrestuan për vrasjen e babait, Artur Kurti. Mirëpo në vijim të hetimeve edhe për shkak se daja mori përsipër fajësinë, i riu u lirua.

Ndërkohë në vitin 2017, ai u ndalua në vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Jurgeni u akuzua se bashkë me vjehrrin e tij Konstandin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit Kujtim Ekonomi, pas konfliktit me Arapin për motive pronësie, ky i fundit mbeti i vrarë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd