


Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën e sotme në ngarkim të Klement Balilit, ku Prokuroria do të paraqiste konkluzionet dhe do të jepte pretencën për të pandehurin.
Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e avokatit të Balilit, Theodhori Sollaku.
Kështu seanca u shty më 2 prill, ora 13.30, ndërkohë që Sollaku nëpërmjet një shkrese e argumentoi mungesën, për arsye shëndetësore.
Rreth dy javë më parë gjykata pranoi kërkesën e Klement Balilit, që gjykimi ndaj tij të bëhet në mënyrë të shkurtuar.
Në këtë mënyrë, në sajë të gjykimit të shkurtuar, në rast se deklarohet fajtor, Balili përfiton uljen e një të tretës së dënimit.
Klement Balili u vetëdorëzua në polici më 15 janar, nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës, ndërkohë që nuk i ka pranuar akuzat.
Akuzat e ngritura ndaj Balilit janë “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





