Transmetuar më 26-03-2019, 10:05
Saimir Tahiri dhe avokati Maks Haxhia, foto arkiv

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shkuar ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia.

Kjo pasi sot do të mbahet seanca paraprake gjyqësore, ku Tahiri do të përballet me akuzat e Prokurorisë, pasi e fundit kërkon marrjen e ish-ministrit si të pandehur.

Gjykata do të vendosë nëse do e dërgojë ose jo çështjen për gjykim.

Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuzat e veprave penale “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, u bë pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.

Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd