Transmetuar më 25-03-2019, 17:15

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se tarifa doganore e vendosur ndaj Serbisë është vendim dhe masë mbrojtëse karshi agresivitetit të Serbisë.

Haradinaj thotë se vullneti i Kosovës për dialog nuk është zbehur dhe se sipas ti,j Kosova është e gatshme për dialog çdo herë por pakushte. Ndërkaq, i pyetur nëse taksa po e izolon Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se Kosovën nuk mund ta izolojë askush.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, të cilën e udhëhiqni ju, për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, po shihet si pengesë dhe bllokim i dialogut me Serbinë. Çfarë do të ndërmerrni që të krijoni kushte për vazhdimin e dialogut?

“E kemi pasur një situatë të rëndë, të një agresiviteti të Serbisë në planin ndërkombëtar, por edhe në planin e brendshëm, me tendenca të destabilizimit të Kosovës. Njëkohësisht, edhe një pengesë jotarifore për çdo mall të prodhuar në Kosovë nuk ka mundur që të hyjë në Serbi. Taksa, si vendim i Qeverisë së vendit është një vendim që të mbrohemi nga ky agresivitet. Vullneti për dialog nuk është zbehur nga pala jonë, nga Kosova.

Ne kemi kryer disa detyra të shtëpisë, në këtë rast kemi Platformën shtetërore, e kemi Delegacionin shtetëror, kemi, po e quaj ashtu një unitet jo vetëm të spektrit qeverisës politik, por edhe një pjese të opozitës. Pra, ne jemi të gatshëm për dialog, vlerësojmë se dialogu duhet të vazhdojë, pra nuk ka alternativë, pa e ndërlidhur me taksën”, u shpreh Haradinaj.