

Policia e Shkodrës thotë se ka vënë në pranga tre persona të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Ferdinand Polisë më 20 mars.
Gjatë paradites së sotme, pas hetimve të policisë së Shkodrës me ato të Tiranës u bë finalizimi i operacionit “Step By Step” (Hap pas hapi).
Në këtë kuadër u bë ndalimi i Gilbert Toma, 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Kleandro Toma, 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër dhe Alfred Martini, 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. S., 27 vjeç dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij.
Pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur dyshohen se drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Pas një pune intensive, ndjekjeje me metodat speciale të hetimit, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i automjetit i cili është përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorit dhe largimin bashkë me ekzekutorin.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.
Aktualisht vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe mbi motivin e kësaj ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Nardi Polia, apo siç njihej Nardi i bujtinave, kishte tre vjet që ishte kthyer nga emigrimi në Itali, ku ka dhe disa precedentë penalë.
Polia është akuzuar për trafik droge, grabitje dhe shfrytëzim prostitucioni, madje është ndaluar nga policia e shtetit fqinj në vitin 2010, si pjesë e një grupi që shpërndante kokainë, te persona të rëndësishëm, mes tyre dhe politikanë.
Pak muaj pas lirimit ai arriti që të lirohej, por pak muaj më vonë u arrestua sërish me 2 kilogramë kokainë.
Grupi ku bënte pjesë viktima, shiste një gramë kokainë për 80 euro, ndërkohë kur klientet ishin femra dhe nuk kishin mundësi të paguanin, iu kërkohej që të kryenin marrëdhënie seksuale.
Por Ferdinand Polia akuzohet edhe për grabitje, ku në vitin 2010, ai mbeti i plagosur teksa po vidhte në lokal.
Kështu pas shlyerjes së dënimit, në vitin 2015, autoritetet italiane e kthyen në Shqipëri, ku në Theth së bashku me familjen, ndërtoi një bujtinë, e cila rezultoi e suksesshme.
Jo vetëm kaq por ai u emërua administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit, pavarësisht të shkuarës problematike në shtetin fqinj.
Edhe nga policia shqiptare ai u procedua penalisht në vitin 2017, për shkak se në zonën e Thethit u zbulua një parcelë me kanabis.
I riu u ekzekutua pasditen e kësaj të mërkure, brenda makinës së tij nga një person me motor. Pas krimit i dyshuari dogji motorin dhe humbi gjurmët./a.y/noa.al
Vrasja e biznesmenit, zbulohet e kaluara dhe arrestimet në Itali
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





