Transmetuar më 25-03-2019, 11:58

Deri para një viti, nuk dinte as ti lëvizte gurët e shahut. Por tani, Tanitoluwa Adewumi, vetëm 8 vjeç, është shpallur kampion shahu në shtetin e New York, në kategorinë e nxënësve të fillores.

Ëndrra e tij është që të jetë mjeshtër ndërkombëtar, në vlerësimin më të madh të shahut dhe të thyejë rekordin botëror.

Tani mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Nigeria në vitin 2017, së bashku me familjen dhe jeton në një qendër pritje për të pastrehët. Ai e zbuloi talentin e tij teksa u dërgua në një shkollë fillore e cila i mundësoi të bëhej pjesë e klubeve të shahut pa pagesë.

Mësuesi i tij i shahut, thotë se nuk ka parë kurrë një talent të tillë. Ndërkohë në platformën ‘Go Fund Me’, janë mbledhur më shumë se 200 mijë dollarë në pak ditë, të cilat do i dhurohen familjes së tij, për të blerë një shtëpi. Mes donatorëve është edhe këngëtarja Camila Cabello, e cila dhuroi 10 mijë dollarë, shkruan noa.al.

Historia e Tanit ka bërë bujë në gjithë botën, sa që edhe ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, shkroi në Twtter, “Tanitoluw, ti përfaqëson shpirtin fitues në shah dhe në jetë. Duhet të vish të më takosh në zyrën time në Harlem, do më pëlqente shumë të të njihja”. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd