Transmetuar më 25-03-2019, 11:40

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot, portalin e transparencës universitare u-transparenca.al, një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

Në fjalën e rastit Rama tha se të dhënat për universitetin kanë qenë të shpërndara në disa dritare dhe ka qenë e pamundur për një individ të interesuar të ndjek apo të ketë një pasqyrë të vetme për të marrë dijeni.

Po ashtu ai deklaroi se edhe për instancat e universitetit është një mekanizëm shumë i thjeshtë dhe i dobishëm, pasi i jep mundësinë çdokujt që të jetë i informuar.

“Aty do të publikohet jo vetëm buxheti vjetor, por edhe më i detajuar. Janë informacione që lidhen me jetën aktive të çdo studenti, informacione të hollësishme mbi programet e shkëmbimit studentor, së bashku me gjithë procedurat përkatëse, bursat, stimujt financiar, marrëveshjet dypalëshe, kuotat e parashikuara dhe mbi mundësitë e reja që do të krijohen mbi bazë të një aspekti tjetër për të lehtësuar futjen e universitetit në treg dhe për t’iu krijuar mundësi për të ardhura që ka qeveria, nevojë për konsulenca”, u shpreh Rama.

Ai tha se deri në fillim të vjeshtës do të jetë gatishmëria për të hartuar plani konkret i financimit të projekteve.

Sa i takon kartës së studentit, deklaroi se faza e parë do të nisë me Bashkinë e Tiranës dhe mbi atë model do të shtrihet në qytete të tjera universitare, duke garantuar ndërveprim mes kartës së studentëve shqiptarë me ata europianë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd