Transmetuar më 22-03-2019, 16:47

Deputeti Fatmir Xhafaj, ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi ishte i ftuar në Berlin të Gjermanisë për të ndarë me kolegët e tij gjermanë përvojën dhe eksperiencën shqiptare si dhe sfidat me të cilat përballen vendi ynë në implementimin e saj.

Në event dhe në takimet e tjera të zhvilluara me deputetë të Bundestagut, një vëmendje e posaçme mori edhe situate aktuale politike në Shqipëri, veçanërisht akti i paprecedentë i deputetëve të opozitës.

Deputetët gjermanë theksuan se ky akt shkon në kundërshti me parimet e demokracisë parlamentare dhe cënon interesat europiane të qytetarëve shqiptarë.

Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve gjermanë, Xhafaj komentoi dhe zhvillimet aktuale në vendin tonë, ecurinë e deritanishme dhe pritshmëritë nga zbatimi i reformës në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj.

Interes të veçantë, deputetët gjermanë treguan lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri, lidhjen ndërmjet saj dhe Reformës në Drejtësi dhe efektet negative që mund të krijojnë këto zhvillime në zbatimin e reformës, ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja e sidomos SPAK dhe GjK.

Dr.Daniela De Ridder zv.Kryetare e Komisionit të jashtëm në Bundestag e vlerësoi Reformën në Drejtësi si një hap të guximshëm politik e kushtetues të ndërmarrë nga Shqipëria. Ajo e cilësoi këtë proces si një hap kyç që i mundëson Shqipërisë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.