Transmetuar më 22-03-2019, 12:40

Drejtori i kabinetit të kryedemokratit Lulzim Basha, Dorjan Teliti denoncon përdorimin e administratës në mitingun e Partisë Socialiste në Tiranë, ku të shtunën çelet zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 30 qershorit por mbahet edhe Kongresi i Partisë Socialiste.

“Fletërrufeja e partisë-bashki për punonjësit e administratës. Të gjithë në rresht për të duartrokitur “liderin” botëror në kongresin e partisë, në të kundërt pushohesh nga puna”, shkruan ai, duke publikuar një mesazh.

Teliti shton se në mbledhjet e organizuara me administratën e bashkisë së Tiranës, u është kërkuar drejtorëve të mos tolerojnë asnjë mungesë në sheshin “Nënë Tereza” në aktivitetin partiak të kryebashkiakut vetëm pak metra larg pallatit të kongreseve ku do të mbahet Kongresi i Partisë Socialiste.

“Ata që mungojnë, pushohen direkt nga puna. Kjo duhet të marrë fund! I ftoj të gjithë ata që detyrohen të duartrokasin nëpërmjet shantazhit të vendit të punës, të na bashkohen në përpjekjen tonë për ta bërë Shqipërinë si Europa!”, denoncon Teliti.

Ai bën thirrje “Shqipëria si Europa, sistemi enverist në aksion. Stop arbitraritetit”. /a.y/noa.al