Si po lulëzon prostitucioni në Kosovë dhe si mashtrohen vajzat
Transmetuar më 21-03-2019, 01:05

Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për mbylljen e 22 lokaleve për shkak të parregullësive që mund të mund të lidhen me trafikim dhe prostitucion.

Riza Murati nga Drejtoria për hetimet e trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, tha se gjatë vitit 2019, në nëntë aksione policore janë arrestuar 41 persona të përfshirë në këto vepra penale, ndërsa në vitin 2018 ishin arrestuar 44 persona.

Ai shtoi se kjo veprimtari më së shumti ushtrohet në qendra të masazhit, ndaj të cilave janë zhvilluar edhe aksionet e policisë.

"Të inspektuara 48 lokale, prej tyre 22 të mbyllura për shkak të parregullsive. Janë hasur duke punuar 211 punëtorë, prej tyre, 180 femra, 31 meshkuj.

Shtetas të huaj të hasur duke punuar janë 20, 11 të Shqipërisë, gjashtë të Tajlandës, ka pasur të Italisë, Rumanisë, Gjermanisë.

Janë hasur edhe pesë punëtore të gjinisë femërore, nën moshën 18 vjeçare. Kemi pasur dy raste në dy lokacione ku janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për veprën penale për prostitucion apo detyrim prostitucion dhe ofrim i lokaleve për prostitucion", tha Murati.

Ndërkohë, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, tha se lokacionet e mbyllura do të gjobiten me shumën prej 1,000 eurosh.

"Në rast se këto lokacione tentojnë të rihapen pa kaluar nëpër procedurat e nevojshme, atëherë inspekcioni komunal ngreh kallëzim penal ndaj tyre", tha ai.

Trafikimi me qenie njerëzore mbetet sfidë për shtetin e Kosovës. Sipas organizatave joqeveritare, në shumicën e rasteve, viktimat kosovare janë të mitura, jetojnë në viset rurale me kushte të vështira socio-ekonomike, ose këto viktima kanë përjetuar dhunë fizike në familjet e tyre.