Transmetuar më 20-03-2019, 14:13

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një komunikim me mediat informoi se gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, është miratuar kontrata e koncesionit për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Kukësit.

Ajo tha se brenda 24 muajve përfundon ndërtimi i aeroportit i cili do të hapë mijëra vende pune.

“Sot është miratuar nga qeveria kontrata e koncesionit për aeroportin e Kukësit. Koncesioni i tenderimit u krye në dhjetor 2018. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 35 vite dhe kontrata për ndërtimin është parashikuar 24 muaj”, u shpreh Balluku,

Më tej tha se për ndërtimin e aeroportit do të punësohen fillimisht 220 persona dhe se në fazën finale do të shkojë rreth 12 mijë të punësuar.

Sipas ministres, aeroporti pritet të ketë rreth 300 mijë pasagjerë në vit dhe se rritja pritet e ndjeshme në vitet pasuese.

Balluku tha se synohet që me çmimet e ulëta dhe shërbimeve cilësore, aeroporti ndërkombëtar i Kukësit të jetë si pikë referimi në funksion të udhëtimeve rajonale, veçanërisht atyre nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. /a.y/noa.al