Policia mbyt me gjoba makinat duke gënjyer hapur: “Jo prezent”
Transmetuar më 18-03-2019, 18:28

TIRANË, NOA.AL – Shkeljet në qarkullimin rrugor nga drejtuesit e mjeteve janë të shumta në rrugët e Tiranës, po aq sa dhe kaosi dhe çorganizimi i organizuar në rrugët mjerane të këtij kryeqyteti, por kjo është një çështje që do ta trajtojmë një herë tjetër.

Ajo që të bën përshtypje në një promovim që Policia e Shtetit i bëri sot disa gjobave që u kishte vënë makinave në rrugën “Dritan Hoxha” është se në të gjitha rastet ishin pak centimetra larg makinave që gjobitnin, sikundër do të shihni dhe videon më poshtë, me shoferët që i kishin të arritshëm lehtësisht e megjithatë në fletë-gjobat, siç shihni dhe foton, u shkruhet jo-prezent.

Kjo mënyrë procedimi me gjobat, shihet nga qytetarë si shkelje ndaj përdoruesve të rrugës. Ata vlerësojnë se është e papranueshme që të akuzosh një drejtues mjeti në lëvizje se ka kryer shkelje dhe ta deklarosh atë si joprezent në konstatimin e shkeljes, kjo është paradoksale.

Policia Rrugore, po aplikon gjobitjen në këtë mënyrë, pasi po procedon me monitorim me kamera të instaluara brenda makinave të tyre.

Kjo mund të jetë një e drejtë e Policisë Rrugore të cilën nuk e paragjykojmë, por nuk shihet me vend që ajo të gënjejë duke thënë se shoferi nuk ishte prezent në momentin e vënies së gjobës, pasi në të gjitha rastet që shikoni në video, mjetet kanë qenë në lëvizje me drejtuesit e tyre dhe lehtësisht të arritshëm nga policët e shumtë që qarkullojnë krahas tyre në këtë rrugë që mbytet gjithë kohës nga trafiku i lodhshëm.

Nga ana tjetër, pajtohemi me një këshillë: Cilado qoftë arsyeja e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, të jeni të sigurt që ndoshta mund të arrini më parë se të tjerët që presin në korsitë e tyre, por me një ndryshim nga ata, ju që shkelni rregullat e qarkullimit, mund të rrezikoni jetë njerëzish që kanë emergjencë, për të cilën janë hapur dhe ato korsi të pakta në Tiranë. /noa.al/